Pas momenteve të gjata në heshtje, të ndaluar nga komunikimi me njëri-tjetrin dhe minutave të gjata humori mes tyre, Vëllai i Madh vendos t’i bjerë gongut dhe kështu pas brohorimash mes tyre, rifillon komunikimi.
Bisedat e para mes tyre, janë biseda të përgjithshme, për sa u përket orendive të shtëpisë si edhe veshjeve të tyre personale.
Ata që shkëputen nga pjesa tjetër e banorëve dhe dalin në oborr për të biseduar, janë Nevila dhe Valeri, të cilët kanë hyrë në çift në shtëpinë e Big Brother. Nevila përfiton për t’i dhënë disa këshilla Valerit mbi mënyrën se si duhet të sillen me pjesën tjetër të banorëve, në mënyrë që të mos krijojnë pakënaqësi prej tyre. Ajo i tregon se duhet të jenë të duruar dhe të sjellshëm me ta edhe ndaj ndonjë sjelljeje të pahijshme që mund të vënë re. Ndërsa Valeri i vë në dukje pikat e përbashkëta që i lidhin ata të dy me njëri-tjetrin. Me kaq mbyllet diskutimi mes tyre, duke rënë dakord që të flasin në një moment tjetër më gjatë.
Banorët, ndërkohë, grumbullohen në dhomat e gjumit dhe fillojnë të merren me sistemimin e rrobave personale, ndërsa shkëmbejnë biseda të ndryshme për sa i përket shtretërve të cilët do të ketë secili.